Published on Russian Faith (https://orthodox-faith.ru)

Home > Ne nuk ndodhemi këtu, por lart, me Shenjtorët

Ne nuk ndodhemi këtu, por lart, me Shenjtorët [1]

"...na ngjalli bashkë, edhe na vuri të rrimë bashkë në vendet qiellore me anë të Krishtit Jisu" (Efesianeve 2:6).

Image alignment

full

- Jerond Emiliani i Simonopetrës

Ku ndodhet Krishti? Këtu dhe kudo! Mbi të gjitha, Krishti, personi i dytë i Trinisë është ulur në Shenjtërore, në të djathtë të Atit qiellor. Prandaj mos mendo se kur shkojmë në kishë, ne thjesht po hyjmë e dalim nga një ndërtesë e zakonshme. Por ne ngjitemi në fakt dhe hyjmë në Shenjtërore, në vetë qiejt. Teksa hapim perden e Dyerve Mbretërore, dhe Krishti është i pranishëm në Potirin e Shenjtë, ne mëkatarët në njëfarë mënyrë hapim dyert e qiellit dhe futemi në qiell! Ndonëse jemi mëkatarë, kur hyjmë në Liturgji, ne ngjitemi lart në Jerusalemin qiellor. Pikërisht atëherë ju do ta kuptoni se ç’madhështi mund të përjetojnë shpirtrat tanë! Ne ulemi në të djathtën e Atit, duke marrë nderim nga nderi i Krishtit dhe duke marrë mishin e bekuar të Zotit dhe Perëndisë sonë.

Kur hyjmë në kishë, atëherë ne po përshkojmë largësinë nga toka në qiell. Ne kalojmë përtej yjeve, i lëmë engjëjt poshtë nesh dhe ngjitemi në lartësitë e Trinisë së Shenjtë. Ky është misteri i Kishës sonë... I njëjti mister vepron edhe këtu, jashtë hapësirës së shenjtërores. Përpara nesh ne shikojmë imazhe të ndryshme, mbi ne janë lampadhat që varen ngjitur me njëra-tjetrën. Por nuk është ashtu. Edhe këto janë pjesë e misterit. Ne nuk ndodhemi këtu. Ne ndodhemi lart, së bashku me asambletë e Shenjtorëve, së bashku me radhët e engjëjve, me Serafimin gjashtë-krahësh – lëvizjet e shpejta të të cilit na mësojnë që të shpejtojmë ditë e natë për te Krishti – së bashku me kerubimët me shumë sy, në mënyrë që sytë tanë të mësohen për të parë Krishtin. Ky është mister. Ky është kuptimi i një “Misteri” të Kishës...

Ne të falënderojmë o Zot Perëndia ynë, sepse ke zbritur rreshtat e engjëjve dhe na ke ngritur ne në qiell. Ne jemi denjësuar që të qëndrojmë përpara atit qiellor ... “Mjerë unë sepse jam i humbur!” (Isa 6:5). Mjerë unë, tha profeti Isaia, sepse Perëndia Vetë ka zbritur te unë dhe kam frikë se do të vdes. Dhe kjo është çfarë duhet të themi kur vijmë në kishë. Ne duhet të kemi frikë por edhe duhet të gëzohemi. Duhet të dridhemi por zemrat tona gjithashtu duhet të kërcejnë nga gëzimi, pasi po përqafojmë Perëndinë dhe Perëndia po na përqafon ne.

Pra kemi ardhur në kishë, në Liturgji! Mos lini asgjë t’jua trazojë qetësinë e zemrës suaj. Perëndia është i pranishëm. Kudo që të shikojmë, Perëndia është përpara nesh! Fakti që nuk e shohim, nuk do të thotë që Ai nuk ndodhet aty por vetëm që sytë tanë nuk janë mësuar që ta shohin atë. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, ne shpallim: “Pamë dritën e vërtetë”. Zemrat tona e kanë parë atë. E kemi ndjerë atë thellë në jetën tonë.

- Nga: “Pjesëmarrja jonë në Kishë: Reflektime mbi Liturgjinë Hyjnore mbi Liturgjinë Hyjnore të Shën Jakovit” në Kishë gjatë Lutjes.


Source URL: https://orthodox-faith.ru/node/5373