Kush jam unë? Kjo është çështja e madhe e Kreshmës së Madhe. Ne përpiqemi t’i përgjigjemi me Kanonin e Madh, duke shqyrtuar fjalët e lutjes së Shën Efremit Sirianit, duke iu afruar analogut të rrëfyestores dhe duke kryqëzuar krahët në pritje të Kungatës.
Kush jam unë? Ne nuk e shohim veten. Si një grup kuajsh të cilëve ua kanë mbyllur me sytë me shami, që hidhen përpara pa vështruar nga pas, edhe ne duke mos vështruar nga pas, rendim si të çmendur, duke dashur që të gjejmë kohë për të bërë gjithçka që ka të bëjë me jetën tonë tokësore. Edhe ne kemi shami në sy, vetëm se ne i kemi vënë vetë ato dhe nuk mund të shikojmë veten tonë dhe mëkatet tona.

Por vjen Kreshma e Madhe dhe të gjitha shamitë bien. Po çfarë shohim?! Unë jam një krimb dhe jo njeri (Ps. 21:7) thotë Psalmisti me finesë dhe zgjuarsi. Ndoshta unë nuk e shikoj veten si një krimb. Jo çdo krimb është i neveritshëm, por kur e heqim shaminë e shikojmë realisht veten dhe ndiejmë neverinë.
Kush e ka shprehur me mençuri që Kreshma nuk ka të bëjë me ushqimin? Sigurisht që nuk ka të bëjë! Por mos ngrënia shërben si një lloj kontrate në të cilën ti firmos për mundimet e Kreshmës së Madhe së bashku me tërë Kishën Militante. “Arena e virtyteve është hapur. Tërë ata që duan të luftojnë për të fituar shpërblimin le të vijnë, të ngjeshin veten për garën fisnike të Kreshmës, sepse ata që përpiqen si duhet marrin me të drejtë kurorën”1, psal Kisha ditën e fundit para fillimit të Kreshmës së Madhe. Dëgjojeni me kujdes: ata “ që duan të luftojnë!”
E tërë Kisha ka hipur në anije dhe ka nisur lundrimin dhe ndjekja e regjimit të jashtëm të vetëpërmbajtjes është thjesht bileta për në anije. Sapo hipën në anije, fillojnë menjëherë habitë dhe mundimet. Mund të kreshmosh apo jo sipas plotësisë së Tipikosë, por menjëherë që nga fillimi i Kreshmës së Madhe, Zoti të jep gjendje të reja shpirtërore. Ҫfarë ishte para disa ditësh, tani, e ndarë nga kufiri i Të Dielës së Faljes bëhet diçka krejt e ndryshme.
Ёshtë sikur të ecnit në një mjegull, por tani mjegulla është shpërndarë dhe gjëja e parë që shikon është vetja, e mbuluar me plagë. Ҫfarë nuk e perceptoje dje si mëkat, sot të shpon dhe të mbyt dhe çdo fjalë boshe që zvarritet nga goja jote fillon të të gjykojë dhe kryqëzojë. Nëse dënimi, zemërimi dhe shpifja e së djeshmes ishin thjesht mëkate të gojës, tani çdo fjalë shkakton një kurtërbim dhe e mundon shpirtin, sepse zbulon errësirën dhe çmendurinë tonë.
Dhe sapo futesh në kishë, të duket sikur ndodhesh në shtëpi. Konflikti midis Kishës dhe botës është gjithnjë në flakë por gjatë Kreshmës së Madhe flakëron edhe më fort. Jo më kot ditën e fundit para Kreshmës ne kujtojmë dëbimin e Adamit nga Parajsa: “I dëbuar nga gëzimet e Parajsës, Adami rrinte ulur dhe qante jashtë saj dhe duke goditur fytyrën me duart e tij tha: “Unë jam i rënë, në dhembshurinë Tënde mëshiromë”2, psal atë ditë Kisha. Adami i gjorë, pasi gëzoi shoqërinë e Perëndisë, papritur iu nënshtrua mashtrimit dhe plaçkitjes së djallit, i flakur nga shtëpia e Atit dhe duke vajtuar hidhtas në mjerim dhe dëshpërim. Ai pa, ndjeu dhe e shijoi ëmbëlsinë e Parajsës dhe qau: “Ne nuk e njohim nga përvoja por vetëm duke parë në të errët si në pasqyrë; duke ndier hirin e Perëndisë, ne vetëm mund ta hamendësojmë. Dhe duke u përballur vazhdimisht me mizorinë e botës, ne digjemi edhe më shumë nga dëshira për Parajsën e humbur dhe kisha bëhet për ne si Parajsa e humbur. Mos ndoshta edhe thirrja e Liturgjisë “E bekuar është Mbretëria”, flet për këtë? Na flet për ekzistencën e Mbretërisë misterioze, që depërton te ne nëpërmjet Eukaristisë, por në të njëjtën kohë është thirrja e përmalluar e bijve të Adamit, që qajnë për Parajsën e humbur …
Kreshma e Madhe është e mrekullueshme në gjithçka. Ditën e parë të Kreshmës, ti ndihesh fillimisht pak i hutuar. Ёshtë mahnitëse sesi javën e kaluar nuk e haje mëngjesin dhe drekën gjatë kohës së punës por vetëm sa fusje ndonjë çapë sandviçi shpejt e shpejt në fund të ditës dhe shkoje në shtrat pa ndier fare uri, kurse kur vjen e Hëna e parë e Kreshmës, e akoma nuk “po vdes nga uria”, siç ndodh pak para Pashkës, por sapo ka nisur beteja e urisë. Në ditët e tjera, nuk ndihesh se dëshiron të hash diçka kurse gjatë Kreshmës së Madhe të merr uria që në mëngjes. Po ashtu, therjet e urisë të vijnë pa kuptuar: pak më parë ndiheshe i ngopur por befas të vjen një dëshirë e papërmbajtur për të ngrënë! Nëse ngulmon për një gjysmë ore, pa iu dorëzuar dëshirës, uria do të largohet dhe nuk dëshiron më të hash. Një njeri i uritur është gjithnjë i uritur dhe në këtë rast ti je njëkohësisht edhe i uritur edhe jo i uritur. Prandaj karakteri mbinatyror i urisë bëhet i njohur dhe shfaqen veprimet e frymës demoniake.
Lufta është shenja kryesore e Kreshmës së Madhe. Prandaj kreshma nuk ka asgjë të përbashkët me dietën. Kur dikush nis të tërhiqet për hir të Krishtit ai përfshihet menjëherë në një realitet të ndryshëm. Dhe në këtë realitet gjithçka ka kuptim dhe peshë.
Çdo veprim të shpie në një tjetër. Mëkati sjell paralajmërim dhe podvig – një sprovë të re. Në thelb, është një maratonë 40 ditëshe. Çdo ditë sfidohesh nga gjëra të ndryshme dhe duke reaguar ndaj atyre, mëson se kush je në të vërtetë. Thelbi i kësaj pyetjeje depërton thellë brenda nesh. Kush jam unë: një bishë e mjerë dhe lakmitare apo një i krishterë? Ҫfarë mund të bëj për hir të Krishtit? Deri në ç’pikë jam gati që të kënaq Perëndinë? Ne nuk po themi të mos hahet absolutisht asgjë ose të shtriheni mbi një gur, por për një vetëpërmbajtje të përkryer dhe një vigjilencë të vazhdueshme në zemrat tona.
Dhe sido që të kthehemi, ne nuk mund t’i bishtnojmë çështjes së lutjes. Lutja është kambana e Kreshmës së Madhe. Çohesh në mëngjes dhe ndërsa je ende i përgjumur fillon dalëngadalë që t’i biesh kambanës në gjuhën e vet: “Shenjt Perëndi, Shenjt i Fuqishëm, Shenjt i Pavdekshëm ...” Bum, bum, bum. Kambana kumbon. Gjëmimi do të pasojë. Së pari fjalët ndërrojnë drejtimin, si bizelet që kërcejnë në mur por ti përpiqesh me ngulm që të depërtosh në zemrën tënde dhe të kërcasësh armaturën e saj të rëndë: “O Zot ndjeji paudhësitë tona, o i Shenjtë, vizito dhe shëro sëmundjet tona...”.
Çdo “Mëshiro o Zot”, në Kreshmën e Madhe është e veçantë. Çdo “Mëshiro o Zot” qorton dhe dëshiron të të dërrmojë, sepse vello është hequr tashmë nga shpirti yt, ke dalë nga mjegulla dhe nuk ka asgjë që të pengon të shohësh dobësinë tënde brenda vetes.
Kreshma e Madhe është shkatërruesja e madhe. Ti mund të ndërtosh lloj-lloj planesh përpara Kreshmës dhe të bësh piktura të përshpirtshme për veten tënde mbi mënyrën sesi do ta shpenzosh Kreshmën, por Dyzetëditëshi fillon dhe të gjitha planet e tua prishen. Ndoshta sepse Zoti nuk dëshiron që realizimi i planeve tona të në çojë në Qiell me një avion të krenarisë? Ndoshta i pëlqen më shumë Atij që ta dërgojë avionin tonë me kokë poshtë, duke na shtypur ne së bashku me planet tona, duke i bërë copa-copa, në mënyrë që pjesëzat e thyera të thërrasin me më shumë forcë: “Mëshiro o Zot”, por këtë herë me lot në sytë tanë?!
Mendjet e zemrat tona janë si një hotel i madh, me dhoma të mjaftueshme për të gjithë. Dhe prapa heronjve të shumtë prej filmave të ndryshëm, librave dhe situatave jetësore, figura vetmitare e Krishtit humbet. Prandaj gjatë Kreshmës, ne përpiqemi që ta kufizojmë sa më shumë aksesin e çdo gjëje tjetër ndaj zemrave tona. Gjatë kësaj periudhe, spitali i zemrës sonë është i rezervuar plotësisht nga Shpëtimtari. Vetëm Ai duhet të sundojë në mendjet tona; vetëm Atij i ofrohen të gjitha ndjenjat e zemrës sonë. Me qëllim që të dëbojmë të gjithë mysafirët e padëshiruar nga hoteli, që të gjitha personazhet e jashtme të shpërbëhen në harresë, ne duhet të vëmë përpara syve e veshëve tanë një “portë rrethuese”, dhe që depo e zemrës sonë të jetë e pastër për Zotin ne duhet të “ruajmë” gojën tonë, që të mos ta prishim me fjalët e kota heshtjen e brendshme.
Ne shpesh themi se Kreshma e Madhe është një pranverë shpirtërore, një kohë jetike. Por krishterimi insiston se jeta mund të vijë plotësisht vetëm pas vdekjes. Orthodhoksia thotë se Pashka është jeta e vërtetë, që shkëlqen nga varri. Prandaj duhet të nxjerrim përfundimin e pashmangshëm se Kreshma e madhe është një kohë vdekjeje. Të vdesësh ndaj mëkatit është synimi përfundimtar i Kreshmës dhe përgjithësisht i tërë jetës sonë.
Nuk ka nevojë për të kundërshtuar, duke dëbuar asketicizmin nga bota në manastire! Ka asketicizëm në botë, edhe pse i një natyre jo të krishterë. Në fund të fundit, ne kënaqemi me arritjet e atletëve ose aftësitë e muzikantëve që shpenzojnë shumë orë duke i mohuar vetes çdo gjë që bie ndesh me synimin e tyre kryesor të jetës. Gjashtë orë trajnim çdo ditë, a nuk është ky asketicizëm? Dhe mundimet e krijimit të një vepre arti, kur një shkrimtar ose artist nuk fle fare gjithë natën, a janë këto larg agripnisë së murgut kur dhurata e hirit të Shpirtit të Shenjtë lind në zemrën e një ati të nderuar nëpërmjet mundimeve?
Duhet të ketë asketicizëm në botë, përndryshe krishterimi ynë do të mpikset, duke u kthyer në protestantizëm, apo fariseizëm. Asketicizmi, nuk është vetëm dhe aq shumë një abstinencë nga çdo lloj ushqimesh jo kreshmore. Por është një studim i pafund i zemrës, dëbimi i mendimeve mëkatare dhe një “ecje” e vazhdueshme “përpara Zotit”. Një punë që kërkon pendim të pareshtur dhe siç thotë një njeri i lutjes, ky pendim i pareshtur sjell lutjen e pareshtur. “Pendimi bën të lindë lutja dhe lind prej bijës së tij njëqind fish”. Këto fjalë, slogani i Kreshmës së Madhe gdhendet prej dorës së urtë të Shën Ignat Briankaninovit.
Kjo punë urrehet prej djallit dhe në fund mohohet nga të gjithë njerëzit modernë që e zbusin praktikën e Kreshmës sepse kjo punë nuk mund të ndërmerret pa vetëpërmbajtje dhe lutje. Rruga e lutjes penduese ndiqet vazhdimisht nga vdekja asketike e një të krishteri, duke e kufizuar veten brenda varrit të zemrës me shpresën në ringjalljen paskale.
Prandaj ne mund të themi se Kreshma e madhe është një sprovë e madhe. Dhe nëse dikush e kalon denjësisht, bëhet i madh.
Kreshma e Madhe e ngjesh tërë jetën tonë të krishterë brenda shtatë javësh si një pranverë. Dhe nëse nuk jetojmë si të krishterë gjatë Kreshmës së Madhe, atëherë si mund të jetojmë jetën e zakonshme të përditshme? Nëse nuk mund të lutemi me vëmendje gjatë Kreshmës dhe të abstenojmë e të jemi vigjilentë, atëherë si mund të lutemi dhe si do të mendojmë gjatë ditëve të tjera të zakonshme?
Mos e shpenzoni kot këtë kohë shpëtimi vëllezër e motra! Ajo është e shkurtër. Pranvera nuk mund të ngjishet për shumë kohë. Mundohu, kthjellohu, lutu në çdo kohë. Flaki mëkatet e tua prej vetes. Pashka e Krishtit po vjen, e cila i ndriçon dhe bekon ata që janë përgatitur si duhet.
Këtu në Rusi, kjo faqe është momentalisht i vetmi burim të ardhurash për familjen Gleason dhe familjen Silva. Që të dyja familjet jetojnë tani në Rusi dhe e çmojnë shumë mbështetjen tuaj.
Në mënyrë që faqja Russian Faith të funksionojë, një dhuratë periodike qoftë edhe prej $15 ose $25 në muaj do të ishte një bekim i madh.