Vdekja u mposht

Originally appeared at: Pravmir

 “Vdekja përpihet në fitore.

“Ku është, o vdekje, thumbi yt?

Ku është, o had, fitorja jote?”

Krishti u ngjall dhe jeten na fali”

Ngjallja e Zotit tonë Jisu Krisht e ndryshoi përgjithnjë historinë. Kjo ngjarje e futi njerëzimin në revolucionin më të jashtëzakonshëm që ka dëshmuar ndonjëherë. Ngjarjet tronditese të Javës së Shenjtë dhe Pashkës i japin një përgjigje të fortë misterit të madh të ligësisë dhe vetë vdekjes!

Ne mund të studiojmë historinë njerëzore dhe të shohim shumë vuajtje dhe dhimbje përgjatë shekujve. Ne mund të vështrojmë përreth në shoqërinë tonë bashkëkohore dhe ndonëse shohim progres në disa sfera, kuptojmë gjithashtu që disa gjëra nuk kanë ndryshuar fare me kalimin e mijëra viteve. Pavarësisht nga ndonjë progres teknologjik që ka ndodhur në shoqëri, vuajtja dhe vdekja vazhdojnë të ekzistojë.

Këtë vit që kaloi kemi parë sesa e rëndomtë mund të jetë vdekja me më shumë se 500,000 vdekje që kanë ndodhur nga pandemia. Shumë njerëz kanë frikë se mund te infektohen nga kovidi dhe asnjë njeri nuk e di se kush do të jetojë e kush do të vdesë po ta kapë virusi.

Por me ardhjen e Zotit tonë Jisu Krisht në botë dhe veçanërisht nëpërmjet Pësimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes, një përgjigje e fortë është dhënë për të keqen më të madhe në botë. Satani dhe i tërë ndikimi i tij i ligë nuk e ka më fjalën e fundit në jetët tona! Vetë vdekja nuk e ka fjalën e fundit. JO! Krishti është ngjallur dhe vdekja është mposhtur. Krishti është ngjallur dhe djalli me tërë errësirën e tij nuk mund ta mbajë më kontrollin e tij ndaj njerëzimit. Krishti është ngjallur dhe premtimi i një jete të re i ofrohet mbarë njerëzimit, një jetë e re që fillon tani!

Siç e ka thënë shumë bukur Shën Joan Gojëarti “Le të mos t’i druhet askush vdekjes, sepse vdekja e Shpëtimtarit na ka çliruar! Vdekja dhe vetë ferri është tërbuar dhe asgjësuar!”

Një nga himnet nga Shërbesa e Ngjalljes së të Shtunës së Shenjtë e shpreh në këtë mënyrë:

Sot Hadi rënkon. Fuqia ime po shkatërrohet! Bariu u kryqëzua por e ngjalli Adamin. E humba gjithë sundimin tim. Gjithçka që kam marrë në fuqinë time e kam vjellë. I kryqëzuari i ka zbrazur varret. Kërcënimi i vdekjes nuk është më!”

Si pasues të Jisu Krishtit, ne e dimë se nëse do të ecim me Zotin tonë në këtë jetë, Ai do të ecë me ne përgjatë sfidave dhe betejave të kësaj jeet, DHE Ai do të ecë me ne në jetën e ardhshme. Nuk ka asgjë më të madhe sesa dashuria hyjnore e Perëndisë, prandaj asgjë nuk mund të na ndajë nga ajo dashuri, duke përfshirë edhe ligësinë e kësaj bote dhe vetë vdekjen.

Siç shkruan Shën Pavli: Po në gjithë këto ne dalim më tepër se fitimtarë me anë të atij që na deshi. Sepse më është mbushur mendja se as vdekje, as jetë, as engjëj, as pushtete, as fuqira, as ato që janë tani, as ato që do të vijnë, as lartësi, as thellësi, as ndonjë gjë tjetër e krijuar nuk do të mund të na ndajë nga dashuria e Perëndisë që është në Jisu Krishtin, Zotin tonë (Romakëve 8:37-39).

Ndërsa po kremtojmë këto ditë të shenjta të gëzueshme dhe rijetojmë Ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht, le të mos harrojmë kurrë rëndësinë e madhe që duhet të ketë kjo ngjarje në jetët tona! Ne mund dhe duhet të jetojmë pa frikë prej vdekjes! Zoti ynë na thërret që të mbushemi me gëzimin dhe fuqinë e Ngjalljes së Tij. Ne nuk duhet të lejojmë ndonjë gjë në jetët tona, duke përfshirë ndonjë ngjarje të papritur ose të pafat të na bëjë të harrojmë rreth gëzimit dhe mahnitjes, fuqisë dhe njohjes së Ngjalljes së Krishtit dhe pasojave që ka për jetët tona!

Vitin e kaluar pandemia i mbylli kishat tona dhe vetëm pak njerëz ishin në gjendje që t’i kremtojnë këto ditë të shenjta në kishë. Teksa gjithnjë e më shumë njerëz po vaksinohen, unë po shoh më shumë njerëz që po kthehen në kishë. Unë shpresoj që ky vit do të shikoje shumë prej jush në shërbesat e ndryshme, sidomos gjatë shërbesave tona duke kremtuar Pashkën!

Le të përjetojmë të gjithë në një mënyrë të gjallë dhe të përtërirë Ngjalljen e Zotit tonë Jisu Krisht dhe të jetojmë çdo ditë me Frymën e këtij Zoti të Ngjallur që banon begatisht në ne!  

Krishti u ngjall!!! Christos Anesti!

Krishti u Ngjall! Vërtetë u Ngjall!

Hristos a Inviat! Khristos Voskriese!

Me gëzim dhe dashuri në Zotin tonë të Ngjallur,

+Llukai

  • Shqip
  • العربية
  • English
  • Français
  • Deutsch
  • Bahasa Indonesia
  • Italiano
  • Português
  • Русский
  • Español